Lajme Shqip Friday, 13 January 2012 08:30

Tiranë- Dy muaj pas arritjes së marrëveshjes për reformen zgjedhore, reformen e rregullores dhe miratimin e ligjeve me 3/5, është shënuar dhe krisja e parë mes demokratëve dhe socialistëve.

Konferenca e Kryetarëve, e cila u mblodh me pjesëmarrjen e krerëve të Grupeve Parlamentare, Nënkryetarëve të Kuvendit dhe Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare, miratoi sot kalendarin e ri të punës, pa konsensus.

Mbledhja është shoqëruar me debate, të cilat kanë çuar deri në largimin nga salla të kryetarit të grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi.

Sipas njoftimit për shtyp të Kuvendit, Kalendari i propozuar nga administrata e Kuvendit parashikonte fillimin e punës në komisione parlamentare të shqyrtimit dhe diskutimit të ligjeve të depozituara në Kuvend dhe të kodeve e projektligjeve që kërkojnë 3/5, sipas marrëveshjes së 14 nëntorit 2011, të miratuar nga të gjitha grupet parlamentare.

Në kuadër të diskutimit, Konferenca përcolli me shqetësim kërkesën e Kryetarit të Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruci për të hequr nga kalendari pr/ligjet e mbetura që kërkojnë shumicë të cilësuar, si një kërkesë që rrezikon seriozisht implementimin në kohë të marrëveshjes së 14 nëntorit 2011.

Me shumicë votash, Konferenca vendosi që këto pr/ligje të mbeten në kalendar dhe të fillohet nga puna në komision për shqyrtimin e tyre, në përputhje me pikën I dhe pikën VII të Vendimit të Konferencës së Kryetarëve, datë 14 nëntor 2011.

Konferenca e Kryetarëve me shumicë votash përcaktoi si datë të parë të shqyrtimit në seancë plenare të këtyre pr/ligjeve, datën 2 shkurt 2012, në rendin e ditës së të cilës do të përfshihet shqyrtimi i Kodit civil. Për shkak të refuzimit të përfaqësuesve të PS-së për të filluar punën me këto pr/ligje, Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e ri të punës, pa konsensus. (LajmeShqip.com)