Lajme Shqip Thursday, 12 January 2012 21:25

Tiranë- Kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë zhvillimi të Komitetit Ndërministror për organizimin e 100 vjetorit të pavarësisë se “ky 100 vjetor t’u shërbejë shqiptarëve për t’u njohur me të vërtetat më të rëndësishme të vendit dhe kombit të tyre, t’u shërbejë shqiptarëve, jo si një barut për të shkuarën, por si një shpresë e bashkim për të ardhmen”, u shpreh sot kryeministri Sali Berisha në mbledhjen ndërministrore për 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë”.

Komiteti ndërkohë shpalli të hapur konkursin për monumentin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit, ndërsa ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka përgatitur logon për këtë eveniment, që është një stilizim i shqiponjës.

Sipas kreut të qeverisë, 100-vjetori i Pavaresise duhet të ruajë sensin e realizmit, rëndësinë e ngjarjeve nga e kaluara, por pa harruar akualitetin. “Është një vit në të cilin duhet të synojmë, të prekë sa më shumë zemrat dhe mëndjen e qytetarëve shqiptarë”, kërkoi Berisha sot para të pranishmëve në mbledhjen ndërministrore për 100-vjetorin e pavarësisë. Sipas Berishës, festimet do të kenë si qëllim të gëzojnë shqiptarët kudo si në Kosovë, Maqedoni e diasporë. Kryeministri vuri në dukje edhe faktin se në këtë 100 vjetor, Kosova është e pavarur. “Një përballje kombëtare është jetike për këtë cështje, sepse pavarësia ka qenë përpjekje mbarëkombëtare, jemi në detyrim me të gjithë ata që ndihmuan për cështjen e pavarësisë. Imagjinoni sikur ne ta festonim pa pavarësinë e Kosovës. Flamujt do ishin në gjysëm shtizë, ndaj kemi arsye të festojmë në mënyrën më të merituar”. Gjatë kësaj mbledhje u arrit të miratohet parimisht logoja për 100 vjetorin e Pavarësisë ndërsa u kërkua që të punohet për rikthimin e eshtrave të Mbretit Zog në atdhe.