Sarajevë – Dhoma përfaqësuese e Kuvendit parlamentar të Bosnjë e Hercegovinës sot e zgjodhi ekonomistin Vjekosllav Bevanda për kryetar të Këshillit të ministrave të BeH-së.
“Për” zgjedhjen e Bevandës votuan 31 nga 36 deputetët e pranishëm në mbledhje, dy ishin “kundlr”, ndërsa tre u përmbajtën nga votimi. Dhoma përfaqësuese e Kuvendit parlamentar të BeH-së numëron 42 anëtarë.
Me zgjedhjen e Bevandës i vihet fund krizës politike 15-muajshe në BeH, e cila akoma nuk ka qeveri qendrore nga zgjedhjet e mbajtura në tetor të vitit 2010.
Gjatë prezantimit të programit të vet para deputetëve, Bevanda theksoi se prioritete kryesore të qeverisë së tij do të jenë rritja e standardit jetësor të popullatës, sigurimi dhe stabiliteti dhe mbrojtja e shëndetit të qytetarit dhe mjedisit jetësor.
“I vetëdijshëm për të gjitha rrethanat vështirësuese, e pranova kandidaturën (për kryeministër), si sfidë të posaçme dhe mundësi për t’iu vënë fundi rrjedhës politike negative e cila po i zhvleftëson sukseset e arritura deri më tani në ndërtimin e shtetit të Bosnjë e hercegovinës”, theksoi Bevanda.
Ai theksoi se qeveria e tij do të ndërmarrë masa për t’i parandaluar apatinë dhe pakënaqësinë tek qytetarët dhe t’i kahëzojë forcat dhe energjinë drejt zgjidhjes sa më të shpejtë dhe të suksesshme të çështjeve më të rëndësishme për vendin.
Bevanda theksoi se Këshilli i ri i ministrave do të vazhdojë të punojë në drejtimin strategjik drejt integrimeve evropiane, që i konfirmoi Qeveria e kaluar.
“Ajo është rruga e vetme qqë na çon drejt së ardhmes më të mirë”, theksoi Bevanda në ekspozenë e tij para deputetëve.
Thursday, 12 January 2012 20:45 