Lajme Shqip Thursday, 12 January 2012 19:30

Ligjet, që kërkojnë shumicë të cilësuar për t’u miratuar, rrezikojnë sërish të mos marrin votën parlamentare për shkak të mungesës së konsensusit mes kampeve politike.

Në mbledhjen e parë të Konferencës së Kryetarëve për vitin 2012, përfaqësuesit e opozitës kërkuan heqjen nga kalendari 3-javor i punimeve të Kodit Civil, Kodit Penal dhe ligjit “Për Gjykatën Administrative”, duke vënë kështu në pikëpyetje ecurinë e bashkëpunimit të nisur fundvitin e kaluar.

Kjo kërkesë është shoqëruar me debate mes përfaqësuesve të dy kampeve politike, kjo edhe për faktin se ekziston një marrëveshje, që ka të bashkëlidhur edhe një kalendar me afate të përcaktuara për shqyrtimin dhe votimin e këtyre ligjeve.

Kjo ka sjellë miratimin e njëanshëm të kalendarit tre-javor të punimeve dhe të programit të punës, i cili parashikon që shqyrtimi i Kodeve dhe ligjeve që kërkojnë 84 vota për t’u miratuar, të nisë në ditët e para të muajit shkurt.

Ndërkohë, Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që seanca e parë për këtë vit të zhvillohet të hënën e ardhshme me datë 16 janar.