Banka Botërore po shqyrton miratimin e financimeve shtesë për Shqipërinë, me qëllim për të ndihmuar vendin të amortizojë efektet e krizës që vjen nga eurozona. Në një takim me mediat, drejtues të Bankës Botërore u shprehën se një grupi ekspertësh ka nisur dialogun me qeverinë për të përvijuar projektet që do të mbështeten me financime shtesë, por lanë të kuptohej se presin një impenjim për të ulur borxhin publik, që, sipas Bankës Botërore, është në nivele shumë shqetësuese. Drejtuesit e Bankës Botërore thanë se kontributi gjatë vitit 2012 do të synojnë kryesisht forcimin dhe zgjerimin e reformave. Ndërsa financimet shtesë do të orientohen në dy drejtime: reformimi i sektorit financiar dhe rritja e konkurrueshmërisë së vendit.
“Fokusi ynë në vitin 2012 do të jetë ndihma për Shqipërinë për të zbutur ndikimet e krizës së vazhduar të eurozonës. Vendet si Shqipëria janë shumë të lidhura me ekonomitë e eurozonës dhe, si të tilla, janë shumë të ndjeshme ndaj ndryshimeve në ritmin ekonomik. Objektivi kryesor i këtij financimi është të ndihmojë vendet e prekura të ruajnë një rritje të qëndrueshme pavarësisht rreziqeve të jashtme të shtuara,” tha Ksenya Lvovsky, përfaqësuese përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri.
Diskutimet për financimet shtesë e kanë lënë ende pezull shumë totale të financimeve të Bankës Botërore në Shqipëri për vitin 2012. Por, drejtuesit e saj thanë se gjatë këtij viti pritet që Bordi Drejtues i bankës të miratojë dy projekte madhore në vlerën e 40 milionë dollarëve amerikanë, përkatësisht për përmirësimin e sistemit të përkrahjes sociale dhe për furnizimin me ujë të zonës së Durrësit.
Thursday, 12 January 2012 18:30