Banka e Shqipërisë do të forcojë kriteret teknike dhe ato të sigurisë për licencimin e Zyrave të Këmbimit Valutor. Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar në Dhjetor disa ndryshime në rregulloren përkatëse, që i detyron Zyrat e Këmbimit Valutor të japin informacion më të hollësishëm mbi mjediset dhe kushtet e sigurisë për ushtrimin e veprimtarisë së këmbimit valutor. Në deklarim, duhet të jepet informacion minimalisht për instalimin e sistemit të monitorimit dhe të telekamerave, mbi kasafortën për ruajtjen e vlerave monetare, si dhe për ndarjen e zonës së arkës.
Zyrat duhet gjithashtu të japin informacion mbi pajisjet e nevojshme teknike dhe administrative që zyra disponon për ushtrimin e veprimtarisë financiare të këmbimit valutor. Me rregulloren e re, administratorët e Zyrave të Këmbimit Valutor duhet të nënshkruajnë një deklaratë mbi njohjen dhe zbatueshmërinë e detyrimeve ligjore dhe nënligjore në fuqi për ushtrimin e veprimtarisë financiare të këmbimit valutor.
Agjencitë e Këmbimit Valutor janë bërë shpesh objekt grabitjesh, ndaj rregullorja e re synon të rrisë sigurinë e këtyre institucioneve. Por, nga ana tjetër, kjo rregullore synon të rrisë kapacitetet e drejtuesve të këtyre agjencive, duke i vendosur shprehimisht para përgjegjësisë për të njohur dhe zbatuar kuadrin ligjor që rregullon aktivitetin e tyre.
Thursday, 12 January 2012 17:30