Mitrovicë- Barrikadat mbeten në veriun e Mitrovicës dhe Kosovës, ndërsa ato po ruhen nga grupe krimianle serbe të cilat në vazhdimësi kanë përkrahjen e Qeverisë së Beogradit dhe Presidentit Tadiç. 
Burime të portalit njoftojnë se rojtarët e barrikadave janë duke u paguar me pagë mujore nga buxheti i Shtetit të Serbisë. Rojtarët janë edhe të armatosur në barrikadat kryesore në veriun e vendit.
Po ashtu edhe zyrtarë të komunës ë Mitrovicës kanë theksuar se barrikadat mbeten problemi kryesor sa i përket situatës së sigurisë në veri të Kosovës edhe në këtë fillimvit. Kjo është thënë në takimin e Komitetit për vlerësimin e situatës së sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se si pasojë e barrikadave banorët e veriut, sidomos ata të komuniteteve joserbe janë duke u përballur me probleme të mëdha. Ai shtoi më tej se banorët e fshatrave shqiptare të Leposaviçit kanë mbetur të izoluar për shkak të bllokimit të magjistrales nga barrikadat si dhe borës që ka mbyllur rrugën e tyre malore.
Haziri sqaroi më tej se kjo është një situatë shumë serioze, që kërkon ndërhyrje të shpejtë. “Në mesin e atyre banorëve ka të sëmurë që kanë nevojë për trajtim të vazhdueshëm mjekësor. Ka edhe ankesa për mungesë ushqimesh, ndërsa tashmë paraqiten edhe probleme për mbarëvajtjen e mësimit, pasi mësimdhënësit kanë probleme për të qarkulluar drejt këtyre zonave.
Sipas Hazirit autoritetet e sigurisë duhet të lirojnë sa më parë rrugët magjistrale për qarkullim, meqë gjendja është duke u tensionuar. “Jeta e atyre banorëve, që kanë mbetur të izoluar është duke u përkeqësuar dhe me këtë është duke u tensionuar edhe situata, andaj strukturat e sigurisë, si KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës, duhet të ndërmarrin masa që të lirojnë rrugët nga barrikadat”.
Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se shqetësuese mbeten të shtënat me armë zjarri nga grupe njerëzish në veri të qytetit të Mitrovicës. “Është bërë dukuri që gjatë festave në veri të ketë të shtëna. Kjo ka ndodhur edhe gjatë festimit të Krishlindjeve ortodokse në veri të qytetit”.
Drejtori Bala, përmendi edhe problemet që kanë dalë për qarkullim, pas përkeqësimit të motit dhe reshjeve të borës. Ai tha se problemet me të mëdha janë në zonën e Shalës, ku përkundër punës së vazhdueshme nga kompanitë e pastrimit disa rrugë herë-herë mbeten të bllokuara.
Në këtë kontekst, ai solli në vëmendje problemin e rrugës malore të fshatrave shqiptare të Leposaviçit. “Ajo rrugë është në gjendje tepër të keqe dhe është tepër e vështirë mirëmbajtja e saj, meqë është nëpër një terren malor”, tha ai, duke shtuar se janë duke bërë ç’është e mundur që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme. Ndërsa sa i përket mbarëvajtjes së mësimit në shkollën e Bistricës të Komunës së Leposaviçit, tha se të martën me përcjellje të policisë ka qarkulluar autobusi drejt këtyre fshatrave nëpërmjet Zveçanit.
“Kjo njëherë për një herë është mënyra e vetme për sigurimin e transportit për mësimdhënësit që punojnë atje si dhe për banorët që banojnë atje”.
Wednesday, 11 January 2012 17:42