Lajme Shqip Wednesday, 11 January 2012 19:00

Zagreb – Gjykata kroate sot e dënoi gjermanin Mario Erihzon me 6,5 vjet burg për mashtrimin e “Raiffeisen Bank“, kumtoi televizioni kombëtar kroat HRT.

Më 15 nëntor të vitit 2007 Erihzon ka tërhequr 12 milionë kuna (rreth 1,6 milionë euro) nga llogaria e një firme kroate në filialin e bankës në Osiek, duke shfrytëzuar dokumente të falsifikuara në emër të Johanes Majer, person i cili është zhdukur mbas kësaj ngjarje.

Bashkë me Erihzonin, për rastin e njëjtë, janë dënuar edhe pesë persona të tjerë, prej të cilëve tre ish të punësuar në bankë.

Gjashtë të akuzuarit përveç të tjerave, detyrohen t’i kthejnë edhe një pjesë të parave.

Erihzon është arrestuar në Austri nga fundi i shkurtit pas një fletëarresti ndërkombëtar, ndërsa në maj është ekstraduar në Kroaci me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë të Kroacisë.

“Raiffeisen Bank” ka 14 milionë klientë në 18 vende në Evropën Qendrore dhe Lindore.