Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë një prirje drejt rënies së interesit të kredive të reja.
Në muajin Tetor të vitit të kaluar, interesat e kredive rezultuan në rënie për shumicën e kredive dhe të maturiteteve kohore. Interesat e kredive në lekë u ulën për maturitetet nga 6 muaj deri në 5 vjet, ndërsa rritje pësuan interesat për kreditë afatgjatë mbi 5 vjet. Edhe për euron tendenca mbizotëruese ishte ulja e normave të interesit, ku përjashtim bëri vetëm kredia afatshkurtër deri në 6 muaj.
Ulja e interesave lidhet me synimin e bankave për ta bërë kredinë më tërheqëse, në kushtet kur, sipas Bankës së Shqipërisë, kërkesa paraqitet e dobët. Por një ndikim ka pasur edhe ulja e interesave të depozitave, që ka ulur koston e sigurimit të fondeve për bankat.
Gjithashtu, një faktor tjetër ka qënë prirja e përgjithshme rënëse e interesave në tregun e brendshëm dhe në tregjeve e huaja financiare. Kriza e eurozonës ka bërë që bankat qendrore t’i rikthehen politikave monetare lehtësuese, çka pritet t’i orientojë normat e interesit drejt niveleve akoma më të ulëta. Ky është një faktor i rëndësishëm që ndikon në normat e interesit në tregje, ndaj gjasat janë që gjatë këtij viti normat e interesit për kreditë të vazhdojnë të bien.
Wednesday, 11 January 2012 16:30