Tiranë -Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto thekson në një intervistë se, “tensionimi i situatës së krijuar në Gjirin Persik është krejtësisht i panevojshëm”. 
“Mendoj se shkaktar për këtë eskalim të tensionit është Irani me deklarimet e tij të vazhdueshme për vendosjen një hegjemonie në atë rajon. Me përpjekjet e tij të vazhdueshme dhe me veprimet e vazhdueshme, me mosrespektimin e detyrimeve që ai ka ndaj komunitetin ndërkombëtar. E kam fjalën, përsa i takon detyrimeve që kanë të bëjnë me përdorimin e energjisë bërthamore. Me zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit, përsa i takon veprimeve që i duhen Iranit të ndërmarrë për këtë çështje, por edhe me veprime konkrete do të thoja, përsa i takon manovrave në Gjirin e Ormuzit”, shprehet Haxhinasto.
Sipas ministrit, “ky është një zhvillim që nuk i shërben aspak një situate normale në atë zonë, e cila është zonë nevralgjike përsa i takon burimeve të energjisë”.
Ministri i Punëve të Jashtme shton gjithashtu se, ky është një problem edhe “përsa i takon gjithashtu paqes dhe stabilitetit, të cilat pastaj kanë edhe ndikime të tjera për të gjitha ato kombe dhe vende, të cilat i marrin burimet e energjisë nga kjo zonë, apo për ato kombe dhe vende, të cilat kanë interesat e tyre në këtë rajon dhe si rezultat një konflikt i tillë, i prek edhe ato”.
Sipas ministrit Haxhinasto, sigurisht që një konflikt në atë zonë ka implikacionet e veta edhe për Shqipërinë. “Tashmë ka filluar të ndihet rritja e çmimit të karburanteve, si rezultat i vendimit të Bashkimit Evropian për të vendosur embargo ndaj naftës bruto që vjen nga Irani”, shprehet zv/kryeministri.
Sigurisht, vijon Haxhinasto, “eskalimi i një konflikti atje do të bëjë që këto çmime të rriten edhe më tej. Kështu që efektet në Shqipëri sigurisht që do të ndjehen”.
“Ajo që uroj është që udhëheqësit iranian t’i referohen racionalitetit dhe të kuptojnë që rendi ndërkombëtar vepron në bazë të ligjeve, parimeve dhe në bazë të një vullneti të caktuar që shprehet edhe në rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe ka një detyrim ndërkombëtar që çdo vend të respektojë vullnetin dominues ndërkombëtar, për çështje që rregullojnë marrëdhënie dhe pozicionin e çdo shteti në arenën ndërkombëtare”, përfundon zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto
Wednesday, 11 January 2012 13:41