Prishtinë-“Shteti i Kosovës duhet të forcohet për qytetarët e tij”, tha në Mitrovicë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Në qytetin më të madh verior të vendit, LDK përmbylli diskutimet për statutin e ri dhe procesin e reformës, përkatësisht programin politik të partisë, të cilat filluan javën e kaluar në Gjilan e Prishtinë, për të vazhduar edhe në qytete e lokalite të tjera.
Në këto diskutime është theksuar se LDK-ja ka integritet dhe dije për t’i zgjidhur problemet që ka vendi dhe do të punojë për një Kosovë evropiane dhe të dijes.
“LDK-ja do të punojë që t’i bindë qytetarët e vendit dhe bashkësinë ndërkombëtare se Kosova e meriton të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe e institucioneve të tjera ndërkombëtare, duke e zhvilluar vendin dhe duke i avancuar vlerat e demokracisë evropiane”, ka theksuar Mustafa.
Sipas tij, LDK-ja do ta mbajë thelbin e frymës rugoviane si filozofi e veprimit politik, njëkohësisht do të riorganizohet për ta bërë qytetarin që ta përjetojë në tërësi lirinë, pavarësinë dhe demokracinë nëpërmjet zhvillimit të demokracisë dhe zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 11 January 2012 11:30