Tiranë – “Shqipëria e hapur për biznes”, kështu titullohet një speciale dedikuar Shqipërisë nga e përditshmja kineze “China Daily”.
“Investimet e gjera po transformojnë vendin ballkanik, të pasur me burime, në një qendër të energjisë”, shkruan gazeta kineze China Daily për Shqipërinë.
Duke vlerësuar arritjet e vendit tonë, gazeta shkruan se, “pasi ka arritur një rritje ekonomike të fortë gjatë viteve të fundit, bazuar në shërbime dhe bumin e ndërtimeve, Shqipëria e feston 100 vjetorin e pavarësisë me motivim të pamasë për të përmbushur potencialin e saj të jashtëzakonshëm”.
“Me investimet e huaja direkte të trefishuara, mes vitit 2006 dhe 2010, qeveria e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha ka punuar shumë për të siguruar një mjedis konkurrues për investimet duke ulur taksën e koorporatave nga 25% në 10 %, taksat mbi të ardhurat personale nga 23% në 10%. Kontributet e sigurimeve shoqërore kanë rënë nga 32% në 15% për bizneset”, shkruan ndër të tjera e përditshmja kineze.
“Me burimet e pasura ujore, thuhet më tej, Shqipërisë i është dhënë pseudonimi i “Norvegjisë së vogël” të Ballkanit”, theksohet në artikull.
“Dikur një nga vendet me teknologjinë e komunikimit më të ulët të informacionit, ku norma e depërtimit në botë ishte në vetëm 4,8 për qind në vitin 2006, Shqipëria e ka rritur këtë në 50 për qind në vitin 2011, dhe kjo vijon të jetë një nga përparësitë më të mëdha të qeverisë”, komenton shkrimi i gazetes aziatike.
Në specialen e saj, “China Daily”, citon fjalën e kryeministrit, Sali Berisha, i cili e konsideron Kinën si një nga partneret më të rëndësishme tregtare të Shqipërisë me një bashkëpunim të thellë ekonomik dhe tregtar.
Gjithashtu, artikulli i ka kushtuar një vëmendje të madhe intervistës me kreun e qeverisë, duke cituar raportimet e fundit mbi zhvillimet e suksesshme ekonomike të vendit si dhe premtimet për vitin 2012.
Thithja e investitorëve të huaj në Shqipëri dhe mbrojtja e tyre, citohet të ketë thënë kryeministri, “sektori energjetik, ai minerar, infrastruktura, telekomunikacioni, procesi i privatizimeve dhe rritja e të ardhurave janë prioritetet e qeverisë “Berisha”.
Wednesday, 11 January 2012 10:30