Tiranë-Kreu i PS-së, Edi Rama, ka pritur aleatët e socialistëve, në takimin e parë për këtë vit, për të diskutuar mbi situatën politike në vend si dhe për qëndrimin politik të opozitës gjatë muajit në vijim.
Takimi u zhvillua pranë selisë së PS-së, ndërsa në takim morën pjesë kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së, Paskal Milo, kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, kreu i PSV91, Petro Koçi, kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, si dhe politikani Preç Zogaj.
Pas takimit, përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar, Preç Zogaj u shpreh, menjëherë pas përfundimit të takimit se në këtë tryezë u diskutua mbi reformën zgjedhore.
Sipas Zogaj, aleatët kanë dëgjuar fillimisht një raportim të deputetit Damian Gjiknuri në lidhje me ecurinë e reformës zgjedhore dhe më pas ndanë mendimin e përbashkët se kjo reformë nuk duhet të jetë çështje e vetëm njërës palë.
Zogaj deklaroi se opozita mbështet sistemin zgjedhor proporcional-kombëtar dhe do të punojë për realizimin e kësaj kërkese.
“U shpreh dakordësia e të gjitha partive të koalicionit për një reformë zgjedhore që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme në të gjithë elementët e saj.
“Duhet filluar me garantimin “një qytetar, një votë”, me numërimin elektronik, rindërtimin e KQZ-së dhe një administrim krejtësisht të ri të zgjedhjeve në bazë edhe të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Opozita është e gjitha në një mendje për nevojën e një sistemi të korrektimit proporcional-kombëtar”, deklaroi Zogaj. Ndërkohë ai bëri të ditur se në takim nuk u diskutua për zgjedhjet e Presidentit të ri të vendit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 11 January 2012 09:43