Nju Jork – Më 9 janar në kinematë Producers Club në Nju-Jork, Festivali Ndërkombëtar i Filmave Dokumentarë dhe të Shkurtër DokuFest, prezantoi para një publiku prej më se 100 vetash një përmbledhje filmike. Programi i prezantuar përbëhej nga shtatë filma të përzgjedhur nga Drejtori Artistik i DokuFest-it, Veton Nurkollari.
Ky prezantim u bë në prag të ceremonisë “Cinema Eye Honors” në të cilën ndahen çmime të dedikuara për filma dokumentarë dhe kjo bëri që në prezantimin e festivalit Dokufest të ishin të pranishëm edhe emra të rëndësishëm të filmit dokumentar.
Mbrëmja nisi me prezantimin e festivalit nga koordinatorja për marrëdhënie me publikun në DokuFest, Nita Deda, e cila foli për fillimet e festivalet deri në arritjen e tij në një nga festivalet më të rëndëshihme në rajon.
Filmat që u shfaqën ishin: “Baby” – Daniel Mulloy, “Incident by a Bank” – Ruben Ostlund, “ “Ninulla” – Antoneta Kastrati dhe Casey Cooper Johnson, “The D Train” – Jay Rosenblatt, “Motodrom” –Jorg Wagner”, “Nijuman No Borei” – Gabriel Perot dhe “Zasto ne Govorimo Srpski” – Phil Collins.
Edicioni i 11-të i DokuFest do të mbahet nga data 7-15 korrik në qytetin e Prizrenit.
Wednesday, 11 January 2012 09:00 