Lajme Shqip Tuesday, 10 January 2012 18:04

Mitrovicë-Barrikadat mbeten problemi kryesor përsa i përket situatës së sigurisë në veri të Kosovës edhe në këtë fillimvit, konstatoi sot Komiteti për vlerësimin e situatë së sigurisë i komunës së Mitrovicës.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se “si pasojë e barrikadave banorët e veriut, sidomos ata të komuniteteve joserbe, janë duke u përballur me probleme të mëdha”.

“Banorët e fshatrave shqiptare të Leposaviçit kanë mbetur të izoluar për shkak të bllokimit të magjistrales nga barrikadat, si dhe borës që ka mbyllur rrugën e tyre malore”, theksoi ai, duke shtuar se është një situatë shumë serioze, që kërkon ndërhyrje të shpejtë.

Ai u shpreh se, “autoritetet e sigurisë duhet të lirojnë sa më parë rrugët magjistrale për qarkullim, meqë gjendja është duke u tensionuar”.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se shqetësuese mbeten të shtënat me armë zjarri nga grupe njerëzish në veri të qytetit të Mitrovicës. “Është bërë dukuri që gjatë festave në veri të ketë të shtëna. Kjo ka ndodhur edhe gjatë festimit të Krishlindjeve ortodokse në veri të qytetit”, tha ai.

Drejtori Bala, përmendi edhe problemet që kanë dalë për qarkullimin pas përkeqësimit të motit dhe reshjeve të dëborës.

Sipas tij, problemet me të mëdha janë në zonën e Shalës, ku përkundër punës së vazhdueshme nga kompanitë e pastrimit disa rrugë herë-herë mbeten të bllokuara.

Ndërsa sa i përket mbarëvajtjes së mësimit në shkollën e Bistricës të Komunës së Leposaviçit, ai theksoi se, “policia ka shoqëruar sot autobusin drejt këtyre fshatrave nëpërmjet Zveçanit.

“Kjo njëherë për një herë është mënyra e vetme për sigurimin e transportit për mësuesit, që punojnë atje si dhe për banorët e atjeshëm”, u shpreh Bala.