Lajme Shqip Tuesday, 10 January 2012 19:00

Me ndryshimin e drejtuesit, Kontrolli i Lartë i Shtetit është futur në një fazë reformimi. Përveç ndryshimeve në staf, kreu i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, ka miratuar edhe disa vendime të tjera, që i referohen më së shumti funksionimit të këtij institucionit.

Pavarësisht heshtjes mediatike, Kryekontrollori i Shtetit e ka nisur vendimmarrjen e tij që më 3 janar. Me iniciativë të tij, Kodi Etik i institucionit ka ndryshuar. Me miratimin e këtyre ndryshimeve, tashmë në Kodin Etik të KLSH-së është përcaktuar që çdo kandidati të dekretuar nga Presidenti për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, stafi drejtues i KLSH-së duhet t’i vërë në dispozicion një paketë të plotë informative për institucionin, politikat e ndjekura dhe strategjitë e miratuara.

Gjithashtu, në Kodin Etik është shtuar edhe rregulli etik që punonjësit e KLSH-së, në funksion të etikës institucionale, duhet të tregojnë respekt dhe të vlerësojnë kontributet e dhëna në vite nga Kryetarët e KLSH-së.

Referuar faqes zyrtare të institucionit të KLSH-së, kryetari i ri ka miratuar edhe një Urdhër të Brendshëm për rregullat e komunikimit të brendshëm dhe me jashtë të akteve dhe shkresave zyrtare.

Një nga detyrat e radhës për kreun e ri të KLSH-së mbetet raporti vjetor i punës së institucionit, që duhet dorëzuar në Kuvend para muajit mars. Bujar Leskaj u votua si kryetar i KLSH-së në fund të vitit të kaluar.