Interesat e bonove të thesarit e kanë nisur vitin 2012 në rritje. Në ankandin e zhvilluar sot në Bankën e Shqipërisë, bonot me afat maturimi 12-mujor u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 7.11%, nga 7.04% që ishin në ankandin e fundit të vitit 2011. 
Kjo tendencë rritëse duket se i detyrohet kërkesës shumë të lartë të qeverisë në ankandet e para të këtij viti. Për bonot 12-mujore, borxhi i kërkuar nga qeveria kishte vlerën e 10.5 miliardë lekëve.
Këtyre ju shtohet edhe një borxh prej 16.9 miliardë lekësh, i marrë nëpërmjet emetimi të bonove me maturim 6-mujor.
Për bonot 6-mujore interesi mesatar i ponderuar ishte 6.23%, po aq sa në ankandin e mëparshëm. Por, mosrritja e interesave i detyrohet faktit që 92% e shumë u financua nga Banka e Shqipërisë me ofertë jokonkurruese, ndërkohë që vlera e huasë e marrë përmes këkresave konkurruese ishte vetëm 1.3 miliardë lekë.
Në total, në dy ankandet e para të vitit 2012 qeveria shqiptare mori një borxh prej 27.4 miliardë lekësh. Kjo kërkesë kaq e lartë duket se ka bërë që interesat e ofruara nga investitorët të jenë më të lartë krahasuar me pjesën e fundit të vitit 2011.
Në pjesën e dytë të vitit 2011, qeveria shqiptare vendosi një shkurtim drastik të shpenzimeve me 19 miliardë lekë, me qëllim mbajtjen nën kontroll të deficitit. Kjo politikë uli ndjeshëm kërkesën për financim të borxhit publik, çka ishte një ndër faktorët kryesorë që ndikoi në rënien e interesave.
Pikërisht kërkesa e qeverisë duket se do të jetë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e interesave gjatë vitit 2012. Buxheti i këtij viti është relativisht konservator dhe synon mbajtjen e borxhit pranë nivelit 59%.
Kjo nënkupton një vazhdimësi të politikës së kujdesshme fiskale të gjysmës së dytë të vitit 2011, ndaj gjasat janë që rritja e interesave në këtë fillim viti të jetë e përkohshme.
Tuesday, 10 January 2012 17:30