Lajme Shqip Tuesday, 10 January 2012 12:15

Londër-Kriza financiare greke ka bërë që disa prindër në Greqi të jenë aq të varfër aq sa nuk munden të kujdesen as për fëmijët e tyre, madje vendosin të heqin dorë nga ata, transmeton BBC-ja.

Një infermiere e një kopshti të fëmijëve në Athinë deklaroi se pak para Krishtlindjeve ka marrë mesazh nga prindërit e një fëmije, se ata nuk do të vijnë ta marrin fëmijën e tyre katërvjeçar.

“Nuk do të vijë ta marrë vajzën, sepse nuk kam me çka të kujdesem për të”, është shkruar në mesazhin e një nëne, e cila edhe ka lutur që kopshti të kujdeset për fëmijën dhe t’i sigurojë përkujdesje të mirë.

Sipas përfaqësuesit të një qendre rinore që e udhëheq kisha greke, para hyrjes së tyre në katër muajt e fundit janë lënë katër fëmijë, midis të cilëve edhe një foshnje e sapolindur.

BBC-ja në raportin e vet nga Athina vëren se ka një numër të madh të grekëve të papunësuar të cilët në krizë i kanë humbur shtëpitë e tyre, janë shndërruar në prindër të pastrehë, të paaftë që të kujdesen për fëmijët e tyre, madje për këtë arsye gjithnjë e më shumë dhe më shpesh vendosin për hapa të këtillë dëshpërues.

Në përfaqësues i një organizate humanitare pohon se gjatë vitit 2011 ka pasur mbi njëqind raste kur prindërit kanë dashur t’i lënë fëmijët e vet për kujdes në qendra të ndryshme strehimore, më së shpeshti ato nën kontrollin e kishës. Raste të tilla të heqjes dorë nga fëmijët ka pasur në Greqi edhe më parë, por asnjëherë në sasi kaq të madhe si tani, pas shpërthimit të krizës së madhe ekonomike dhe financiare.