Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 21:00

Tampa- Një person 25-vjeçar me prejardhje nga Kosova është arrestuar në SHBA për shkak të përgatitjeve të sulemeve terroriste. Sami Osmakaç akuzohet për planifikimin e hedhjes së bombave dhe për sulme në Tampa.

Ai akuzohet me një pikë për tentim të përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë (eksplozivë) dhe do të paraqitet sot pasdite (sipas kohës amerikane) në gjykatë.

Nëse gjendet fajtor mund të dënohet me burgim të përjetshëm dhe me gjobë 250.000 dollarë.

“Dua të bëj diçka të tmerrshme. Sikur një ditë, një natë, diçka do të ndodhë. Pastaj, pas 6 orësh diçka tjetër”, ka thënë Osmakaç, sipas dokumenteve policore. Ai tentoi të blinte 10 granata dhe një AK 47.

Policia amerikane falënderoi komunitetin musliman të zonës që e lajmëroi kosovarin. Ai ra në pranga, të shtunën në mbrëmje, kur telefonoi në një hotel personin që duhej t’ia shiste eksplozivët, e që qëlloi të ishte agjent federal. Ai e xhiroi Samiun duke shpjeguar arsyet pse donte të blente eksplozivët.

Ai dëgjohet duke thënë se gjaku i myslimanëve është më i vlefshëm se i atyre që nuk besojnë në Islam, dhe se donte hakmarrje për të këqijat që po u bëhen myslimanëve.(LajmeShqip.com)