Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 18:00

Shkup- Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot e vazhdoi seancën me debat të përgjithshëm sipas Projekt-ligjit për regjistrim të popullatës, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë në vitin 2012, të parashtruar nga opozita.

Grupi i deputetëve i LSDM-së kërkon që regjistrimi të mbahet prej 1 deri më 15 prill të vitit 2012, periudhë që është e mjaftuar, vlerësojnë, që të gjitha institucionet shtetërore të përgatiten dhe të tejkalohen të gjitha dobësitë për realizimin e tij të suksesshëm.

Shumica parlamentare kërkon që LSDM-ja ta tërheqë propozim-ligjin pasi, sipas tyre, me të nuk ofrohet përgjigje e shumë çështjeve të cilat janë vendosur dhe për shkak se duhet të gjendet zgjidhje e përbashkët për atë se si të zbatohet regjistrimi përkundër kritereve që i kërkon Eurostat.

Deputeti i BDI-së talat Xhaferi potencoi se partia e tij nuk frikësohet nga regjistrimi i popullatës, i cili duhet të zbatohet, siç tha, në bazë të metodologjisë me të cilën të gjithë do të pajtohen. Problem kyç, tha ai, është metodologjia e zbatimit të regjistrimit si operacion statistikor.

Sipas Suzana Saliut nga kjo parti, projekt-ligji nuk ofron asgjë të re përveç terminit të mbajtjes së regjistrimit, dhe është hap i shpejtuar për shkak se, vlerëson ajo, ende nuk janë krijuar kushte për zbatimin e regjistrimit të ri të popullatës.

Qëndrimi i PDSH-së është se asnjë regjistrim nuk mund të zbatohet në Maqedoni, tha deputeti Imer Aliu, duke nënvizuar se vetëm PDSH-ja ka alarmuar se ligji i miratuar nuk është korrekt dhe nuk do të mundësojë të gjithë qytetarët të regjistrohen dhe për këtë shkak, tha ai, regjistrimi ka dështuar.

Rilindja Demokratike Kombëtare, informoi deputeti Izet Zeqiri vlerëson se regjistrimi duhet të zbatohet prej 15 deri 30 korrik, kohë kur të gjithë qytetarët të cilët punojnë jashtë vendit, nënvizoi, do të kthehen në Maqedoni. Sipas RDK-së, duhet të ndërrohet edhe metodologjia e regjistrimit. (LajmeShqip.com)