Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 19:30

Tiranë – Ndërtimi i tunelit të Kërrabës, në autostradën Tiranë-Elbasan, është një ndër objektivat për vitin 2012.

Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, deklaroi të hënën, gjatë analizës vjetore të punës për vitin 2011 dhe objektivat gjatë 2012, se infrastruktura rrugore, strehimi dhe përmirësimi i sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve mbeten sfidat edhe për këtë vit.

Olldashi bëri të ditur se gjatë vitit 2011 është punuar në 452 km rrugë, prej të cilave 132 km janë përfunduar dhe mbeten në proces edhe rreth 320 km, që do të mbyllen brenda këtij viti.

Ndër akset kryesore, Olldashi renditi përfundimin e punimeve në rrugën dytësore Milot-Fushë Krujë, Bajram Curri-Dragobi, rruga e Porto Romanos, rruga e Liqenasit, rruga “Aleksandër Goga” në Durrës, loti i parë i rrugës së Shishtavecit në Kukës, rruga hyrëse në Sarandë, etj.

Në vitin 2011, sipas Olldashit, ka nisur puna edhe në një sërë aksesh të tjera rrugore, si autostrada Tiranë-Elbasan , puna në unazën e Tiranës, konkretisht segmenti nga Komuna e Parisit deri në kryqëzimin e urës Tiranë-Elbasan, si dhe do të vijohet me investime në rrugën e Arbrit.

Kreu i Punëve Publike dhe Transportit tha se gjatë viti 2012 po investohet në ndërtimin e segmenteve të rrugës Tiranë-Elbasan, Levan-Tepelenë, autostradën Fier-Vlorë, By-passet e Durrësit, Fierit dhe të Vorës.

Duke u ndalur në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, Olldashi bëri të ditur se është investuar në 145 objekte me vlerë 3.4 miliardë lekë . Për vitin 2012, tha ai, do të investohet në 21 objekte të mëdha, si ujësjellësi i Vlorës, Sarandës, Rrëshenit, Beratit, etj.

“Janë 25 projekte me financim të huaj që kanë nisur që në vitin 2011 dhe që pritet të mbyllen brenda këtj viti si projekti i kanalizimeve të Tiranës së Madhe, Velipojës, Ksamilit, Divjakës, etj.

“Projekti i banesave sociale, i aplikuar në 8 bashki kryesore të vendit, ka prodhuar 1138 apartamente, nga të cilat 385 apartamente në Tiranë, 126 në Durrës, etj”, deklaroi Olldashi.

Sipas tij, kemi patur 646 familje që kanë përfituar nga projekti i kreditimit të lehtësuar, nga këto 93 familje qiramarrës. “Ky program i zhvillimit të banesave sociale dhe kreditimit të familjeve të pastreha ka vënë në qarkullim një stok banesash 5.1 miliard lekë dhe ka ndikuar me 2 % në rritjen e kreditimit të pasurive të paluajtshme të bankave të nivelit të dytë”, tha Olldashi. Duke u ndalur në objektivat për vitin 2012 sa i përket strehimit ministri Olldashi tha se parashikohet sigurimi i strehimit për 959 familje.

Olldashi u shpreh se transporti ajror u rrit gjatë 2011 me 12 %, në kushtet kur këtë vit industria e aviacionit nuk ka qënë në vitin më të mirë, nëse i referohemi statistikave europiane. Për këtë, tha ai, ndikim pozitiv dhanë investimet për ndërtimin e Kullës, apo edhe mbyllja e programit me Lockhed Martin për modernizimin e hapësirës ajrore shqiptare.

Ndër të tjera Olldashi vlerësoi edhe investimet në transportin detar dhe në ndërtimin e landfilleve.