Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 17:30

Kredia e re e marrë nga biznesi për vitin 2011 ruajti rritjen pozitive edhe në fund të 11-mujorit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, deri në fund të muajit Nëntor, kredia e re për bizneset  kishte vlerën e 201 miliardë lekëve, me një rritje prej afro 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Rritja e kredisë së re është një shenjë se sektori privat po përpiqet të ruajë gjallërinë dhe po gjen mbështetje nga sistemi bankar. Por, duhet thënë rritja i detyrohet kryesisht financimeve për kapital qarkullues dhe overdraft, ndërsa kredia e re për investime, rezulton në rënie krahasuar me një vit më parë. Vetëm një e treta e kredisë së re të dhënë gjatë vitit 2011 ka shkuar për investime, ndërsa dy të tretat kanë qënë financime për nevojat operative afatshkurtra të biznesit.

Nga njëra anë ky mund të jetë konfirmim i faktit se bizneset kanë vështirësi në likuiditet, por fakti që bankat i mbështesin kërkesat e tyre për financim tregon se bizneset vlerësohen si të afta për t’i përmbushur detyrimet e tyre. Tregtia vazhdon të jetë sektori më i kredituar i ekonomisë.

Për 11-mujorin e vitit të kaluar, tregtia përfitoi afro 84 miliardë lekë kredi të re, me një rritje vjetore prej 3.4%. Në rritje edhe kreditimi i industrisë përpunuese, që u rrit me 2.5% në bazë vjetore. Ndërtimi vijon të jetë sektori i tretë më i kredituar, por me një rënie prej 16.2% krahasuar me një vit më parë.

Më të kredituara gjatë vitit 2011 ishin sektorë të tillë si bujqësia, transporti apo shëndetësia, ndërkohë që më pak kredi përfitoi sektori i hoteleve dhe restoranteve dhe energjitika.