Oslo – Kompania norvegjeze e naftës “Statoil” sot publikoi se ka zbuluar një burim të madh të naftës në Detin Barencit, i cili mund të përmbajë deri në 300 milionë barelë naftë të papërpunuar.
Mundësitë në fushën e naftës Havis janë të barabarta me mundësitë e Skrugardit, edhe kjo një fushë nafte që “Statoil” e zbuloi në prill të vitit 2011, duke e konfirmuar potencialin ende të pashfrytëzuar në Detin Barencit.
Së bashku këto dy fusha të naftës mund të përmbajnë mes 400 dhe 600 milionë barelë naftë, thotë “Statoil” në kumtesën e tij.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i kompanisë Helge Lund ka deklaruar duke thënë, “Skrugard dhe Havis hapin një fushë të re të naftës në pjesën veriore”.
Këto dy burime të cilat janë larg vetëm shtatë kilometra, por nuk janë të lidhura, kanë mundësi të zhvillohen së bashku dhe t’i kufizojnë shpenzimet.
Me liçencë të përbashkët për prodhim, këto dy fusha të naftës janë në pronësi të “Statoil”-it, e cila ka pjesë prej 50 përqind, ndërsa kompania italiane “Eni” posedon 30 përqind dhe kompania norvegjeze shtetërore “Petoro” posedon 20 përqind.
Monday, 09 January 2012 14:30