Prishtinë – Erërat e forta në një mot me reshje dëbore kanë shkaktuar dëme në lokalitete të ndryshme të Kosovës, veçmas në komunat e Pejës dhe Istogut, ku janë rrënuar çati shtëpish e ndërtesash të tjera, mure oborresh dhe përmbysur makina, ndërkohë që janë ngritur shtabe krize.
Njoftimet nga terreni bëjnë të ditur se në Istog, ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, era ka rrëzuar edhe çatitë e stacionit policor dhe të pallatit të kulturës, ndërsa ka shkulur me rrënjë edhe lisa.
Një ortek dëbore, i lartë mbi 4 metra, ka bllokuar sot paradite rrugën për në qendrën e skive në Brezovicë, në komunën e Shtërpcës, ku moti i lig ka shkaktuar dëme edhe në rrjetin elektrik dhe 70 për qind e territorit ka mbetur pa energji elektrike.
Si pasojë e erërave të forta dhe motit të lig, që ka mbizotëruar gjatë natës së mbrëmshme, janë shkaktuar prishje në rrjetin transmetues të energjisë elektrike në disa rajone të Kosovës.
Monday, 09 January 2012 11:40