Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 09:26

Një performancë që nuk kishte si të mos binte në sy. Aq më tepër kur u dëshmua të jetë pikëtakim i opinionit profesional me reagimin pozitiv të publikut, që nuk ndodh shumë shpesh. Ky është vlerësimi i kompozitorit shqiptar Aldo Shllaku, i cili ishte njëri nga protagonistët e jurisë që dërguan në “Eurovizion” këngën “Suus” të Rona Nishliut. Por për Shllakun, “Suus” dhe performanca e Nishliut, janë më shumë se kaq. Në një bisedë për “Kohën Ditore”, kompozitori shqiptar që jeton në Amerikë, ka “përkthyer” detajisht interpretimin e Nishliut, të cilin para së gjithash e vlerëson për thjeshtësinë. Por, sipas Shllakut, “Suus” kërkon përqendrim të jashtëzakonshëm nga këngëtarja pasi ka vështirësi profesionale, qoftë në regjistër, qoftë në gjendjen e përgjithshme emocionale të cilën interpretuesi duhet ta përcjellë në publik. 

“Është i dukshëm kontrolli i teknikës së Nishliut, që i lejoi asaj përçimin e të gjithë fabulës së këngës pa as më të voglin sforcim. Vlerësoj dhe zgjedhjen e saj për t’u përqendruar te thjeshtësia në të gjithë faktorët e tjerë, për t’i lënë piedestalin mishërimit të këngës në mënyrën më maksimale të mundshme”, ka thënë ai, duke shtuar se këto karakteristika e dallojnë “Suus” me këngët e tjera pjesëmarrëse në festivalin e RTSH-së.

Por, sipas Shllakut, ajo që i dha vulë vlerësimit të jurisë është edhe reagimi i publikut, që u “mishërua” me këngën. “Megjithëse kënga nuk është një këngë e konceptuar për konsum të gjerë, ishte publiku ai që e vlerësoi në radhë të parë.  Kjo është një dukuri shumë domethënëse, sepse tregon që ndryshe nga ç’besohet, publiku është në gjendje të dallojë dhe të vlerësojë një krijim e performancë cilësore”, ka thënë Shllaku, duke theksuar edhe një tjetër fat.

“Me vlerësimin për këngën, ky publik na tregoi se është i etur për një muzikë të lehtë të pastër e shqiptare”.

Veç interpretimit të këngëtares kosovare, Shllaku ka vlerësuar edhe punën e kolegut të tij, Florent Boshnjaku, i cili ka thurur notat e “Suus”.

“Boshnjaku ka sjellë një krijim që do t’i rezistojë kohës dhe ‘Suus’ ka për t’u kthyer në një këngë të cilën do ta vizitojnë këngëtarë në vitet në vazhdim”, ka thënë ai duke zbërthyer deri në detajet më të imëta kompozimin e këngës që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong”.

“Gjuha muzikore me të cilën ka kompozuar Boshnjaku është e duhura për të shprehur gjendjen shpirtërore të këngës.  Orkestrimi i përdorur është tepër ndihmues dhe në shërbim të plotë të kompozimit”, ka vlerësuar ai. Për Shllakun, fakti se Shqipëria do të përfaqësohet në “Eurovizion” me një këngë të krijuar nga artistë nga Kosova nuk është vlera më domethënëse. “Boshnjaku dhe Nishliu do të përfaqësojnë Shqipërinë si krijuesit e këngës së nderuar me çmim të parë dhe jo si dy krijues që vijnë nga Mitrovica apo Prishtina. Përfaqësimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare me bashkëkombës nga të gjitha trevat shqiptare nuk është risi”, ka thënë Shllkau. Sipas tij suksesi i vërtetë është që në Garën Evropiane të Këngës, shqiptarët do të përfaqësohen me një performancë të mirë.

“Suksesi ka për të ardhur nëse vazhdohet të punohet për një paraqitje dinjitoze, duke u përmirësuar në çdo pjesëmarrje dhe duke e kuptuar që mbështetja nga të gjithë ne është primare.  Nuk mund të presim që përfaqësimin tonë ta mbështesin të tjerët kur ne vetë s’bëjmë gjë”, ka thënë Shllaku, duke shtuar se nëse një ditë Shqipëria do të kurorëzohet me fitore në “Eurosong”, do të jetë rezultat i kontributit të të gjithë artistëve që kanë përfaqësuar e që vazhdojnë të përfaqësojnë shtetin shqiptar në këtë garë.

Sipas Shllakut, triumfi i një këngëtareje nga Kosova për të siguruar “vizën” për në “Eurosong” ka ardhur për shkak të cilësisë së këngës.

“Nëse një këngë me firmën e krijuesve nga Kosova fitoi tani, kjo ndodhi për shkak të cilësisë së saj. Këtu nuk them se këngët e ardhura më parë prej krijuesve nga Kosova kanë qenë jocilësore. Përkundrazi, kënga “Suus” është vazhdimësi e paraqitjeve ndër vite e artistëve nga Kosova”, ka thënë ai.

Megjithatë, Shllaku ka komentuar faktin që Nishliu ka qenë e vetmja këngëtare nga Kosova që ia ka “mësyrë” garës në Festivalin e RTSH-së.

“Pjesëmarrja apo mospjesëmarrja e dikujt në këtë festival është e pallogaritshme në raport me vlerën e këtij festivali. Çështja është te ndjeshmëria dhe respekti që duhet të kemi kundrejt vlerave kombëtare dhe secili nga ne e tregon këtë ndjeshmëri me çka bën”, ka thënë Shllaku.

“Uroj që prurjet e krijuesve nga Kosova të jenë më të mëdha në edicionet e ardhshme të këtij Festivali”, ka shtuar ai.

Shllaku po ashtu ka dhënë një vlerësim të përgjithshëm për edicionin jubilar të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar.

“Festivali i 50-të ka vënë dhe një standard të domosdoshëm që duhet vlerësuar: interpretimi i të gjitha këngëve për së gjalli, si nga këngëtarët ashtu dhe nga orkestra dhe formacionet vokale e instrumentale.  Është e dukshme energjia dhe puna e të gjithë të përfshirëve në realizimin e këtij edicioni të Festivalit”, ka thënë Shllaku.

Sipas tij, ky edicion jubilar është kurorëzuar me një fitues të cilin duhet ta përkrahin të gjithë shqiptarët.

“’Suus’ është kënga e nderuar me çmimin e parë dhe kjo këngë e ka të gjithë potencialin për të qenë mbresëlënëse edhe përtej dëgjuesit shqiptar.  Ajo ku duhet të përqendrohemi tashmë është mbështetja gjithëpërfshirëse e kësaj kënge gjatë rrugëtimit në Eurosong”, ka thënë Shllaku. “Këtu fillon dhe mbaron suksesi”, ka përfunduar ai.