Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 09:00

Kajro-Liga Arabe ka ripërsëritur thirrjen e saj ndaj qeverisë së Sirisë që ti japë fund dhunës kundër civilëve ndërsa ka vendosur të zgjasë afatin e misionit të ekipit të vëzhguesve që po përpiqet të monitorojë fushatën e përgjakshme 10 mujore të qeverisë kundër protestuesve civilë.

Ministrat e Jashtëm të Lidhjes Arabe u takuan të djelën në Kajro ku deklaruan se misioni i Ligës në Siri do të vazhdojë pavarësisht kritikave se ai nuk ka mundur të ndalojë vrasjet e civilëve.

Por ministrat, ashtu siç pritej nuk ranë dakord për të rritur misionin e tyre në Siri me përfshirjen e ekspertëve nga Kombet e Bashkuara.

Kështu sipas deklaratës së përbashkët të këtij takimi, ministrat në Kajro, nuk ripërsëritën thirrjen që OKB të dërgojë ekspertë për të përkrahur misionin në Siri,

“Liga Arabe do të vazhdojë t’i koordinojë veprimet me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i rritur aftësitë teknike të vëzhguesve të komisionit”, thuhet në deklaratën e siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters.

Vëzhguesit arabë që arritën në Siri muajin e kaluar, në përpjekje për t’i ndalur vrasjet e regjimit ndaj protestuesve, kanë sugjeruar që ekspertë të Kombeve të Bashkuara t’i bashkohen misionit.

Drafti që u diskutua nga Liga Arabe e fajëson qeverinë siriane, por edhe grupet militare, për dështim të respektimit të planit të paqes dhe kanë kërkuar nga opozita siriane që të bashkëpunojë me vëzhguesit. (LajmeShqip.com)