Lubjanë- Krytetar i deritanishëm i komunës së Lubjanës dhe lider i partisë Sllovenia Pozitive (PS), Zoran Jankoviq mbrëmë kumtoi se edhe me tre parti ka arritur marrëveshje për formim të qeverisë së re të koalicionit.
Jankoviq theksoi se krahas partisë së tij PS, në qeverinë e ardhshme të Sllovenisë do të participojnë edhe partia Socialdemokrate (SD) e kryeministrit aktualë Borut Pahor, Lista qytetare (GL) e Gregor Virant dhe Partia Demokratike e Sllovenisë (DESUS).
“Për disa çështje ende mbetet të arrihet marrëveshje dhe të gjenden zgjidhje”, deklaroi mbrëmë Jankoviq pas takimit me liderët e tre partive të tjera në qeverinë e ardhshme të koalicionit.
Jankoviq, i cili është ish pronar i zinxhirit të supermarketeve “Merkator” theksoi se në ditët në vijim partnerët e ardhshëm të koalicionit do të mbajnë takim të ri në të cilin do t’i harmonizojnë të gjitha hollësitë rreth Qeverisë së ardhshme.
Koalicioni i ri qeveritar do të ketë gjithsej 52 deputetë në Zborin shtetëror slloven 90-anëtarësh, ndërsa pritet që Qeveria të fitojë mbështetje edhe nga dy deputetët nga radhët e pakicës hungareze dhe italiane.
Presidenti slloven Danillo Tirk më 5 janar ia ndau Jankoviqit mandatin për përbërje të qeverisë së re të Sllovenisë, pasi që në zgjedhjet e 4 dhjetorit partia e tij PS shënoi fitore të papritur.
Sunday, 08 January 2012 20:25