Abuxha – Sulmues të armatosur vranë në dy sulme në veri të Nigerisë së paku 20 të krishterë, gjë që i përforcoi druajtjet nga shpërthimi i trazirave fetare, pohojnë banorët e rajonit dhe autoritetet lokale.
“Të enjten mbrëma është kryer sulmi ndaj hotelit “Good Will”, ku u vranë pesë pjesëtarë të komunitetit krishter Igbo. Mbrëmë miqtë dhe të afërmit e njërit prej të vrarëve në atë sulm, erdhën në shtëpinë e tij për të shprehur respekt. Sulmues të panjohur hynë dhe vranë edhe 17 persona, tregon një dëshmitar okular nga qyteti Mubi në të cilin ndodhi sulmi.
Përfaqësuesi i operacioneve shpëtimtare, i cili kërkoi anonimitet, tha se nga banorët ka dëgjuar se tre persona janë vrarë të enjten në mbrëmje, ndërsa mbrëmë 16 apo 17 të tjerë. Për momentin nuk është bërë e ditur se kush qëndron prapa sulmit. Zëdhënësja e policisë refuzoi ta komentojë sulmin, me arsyetimin se akoma nuk ka informata të hollësishme.
Së paku gjashtë persona u vranë, ndërsa dhjetëra u plagosën kur sulmues të armatosur hynë të enjten në një kishë në veri të Nigerisë dhe hapën zjarr ndaj besimtarëve, kumtoi pastori i kishës. Sulmi ndodhi në qytetin Gomba, gjatë lutjes së mëngjesit në kishën krishtere, pohoi pastori Xhon Xhauro, duke cekur se gjashtë persona janë vrarë, duke përfshirë edhe gruan e tij.
Sulmi ndodhi pasi një pjesëtar i grupit islamist Boko Haram të dielën u shpalli ultimatum treditësh të krishterëve të cilët jetojnë në veriun e Nigerisë me shumicë myslimane, për ta braktisur rajonin.
Presidenti i Nigerisë, Gudllak Xhonatan më 31 dhjetor shpalli gjëndje të jashtëzakonshme në verilindje dhe në dy rajone të tjera, në përpjekje që të vejë nën kontroll Boko Haramin, i cili dëshiron të vendosë ligjin e sheriatit në tërë vendin.
Saturday, 07 January 2012 16:30