Lajme Shqip Saturday, 07 January 2012 13:55

Abuxha- Sulmues të armatosur vranë në dy sulme në veri të Nigerisë së paku 20 të krishterë, gjë që i përforcoi druajtjet nga shpërthimi i trazirave fetare, pohojnë banorët e rajonit dhe autoritetet lokale.

“Të enjten mbrëma është kryer sulmi ndaj hotelit “Gud Uill”, ku u vranë pesë pjesëtarë të komunitetit krishter Igbo. Mbrëmë miqtë dhe të afërmit e njërit prej të vrarëve në atë sulm, erdhën në shtëpinë e tij për të shprehur respekt. Sulmues të panjohur hynë dhe vranë edhe 17 persona, tregon një dëshmitar okular nga qyteti Mubi në të cilin ndodhi sulmi.

Përfaqësuesi i operacioneve shpëtimtare, i cili kërkoi anonimitet, tha se nga banorët ka dëgjuar se tre persona janë vrarë të enjten në mbrëmje, ndërsa mbrëm ë edhe 16 apo 17 të tjerë.

Tani për tani nuk është bërë e ditur se kush qëndron prapa sulmit.

Zëdhënësja e policisë refuzoi ta komentojë sulmin, me arsyetimin se akoma nuk ka informata të hollësishme.

Së paku gjashtë persona u vranë, ndërsa dhjetëra u plagosën kur sulmues të armatosur hynë të enjten në një kishë në veri të Nigerisë dhe hapën zjarr ndaj besimtarëve, kumtoi pastori i kishës. Sulmi ndodhi në qytetin Gomba, gjatë lutjes së mën gjesit në kishën krishtere, pohoi pastori Xhon Xhauro, duke cekur se gjashtë persona janë vrarë, duke e përfshirë edhe gruan e tij.

Sulmi ndodhi pasi një pjesëtar i grupit islamist Boko Haram të dielën u shpalli ultimatum treditësh të krishterëve të cilët jetojnë në veriun e Nigerisë me shumicë myslimane, për ta braktisur rajonin.

Presidenti i Nigerisë, Gudllak Xhonatan më 31 dhjetor shpalli gjendje të jashtëzakonshme në verilindje dhe në dy rajone të tjera, në përpjekje që të vejë nën kontroll Boko Haramin, i cili dëshiron të vendosë ligjin e sheriatit në tërë vendin.