Lajme Shqip Saturday, 07 January 2012 14:30

Tiranë – “Interesi për bashkëpunim i qeverisë dhe sektorit privat francez është rritur në sajë të performancës ekonomike e treguesve shumë ftues për investitorët”, u shpreh Sekretar i Shtetit i ngarkuar për Ekonominë dhe Tregtinë e Jashtme, Pierre Lellouche në takimin me Kryeministrin Sali Berisha në Paris, ku mori pjesë në punimet e Seminarit “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”.

Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se z. Lellouche i uroi Kryeministrit Berisha mirëseardhjen në këtë Simpozium me rëndësi ndërkombëtare dhe e falënderoi atë për kontributin e tij në këtë mbledhje të personaliteteve të rëndësishëm e vendimmarrësve nga e mbarë bota, si kryeministra, zëvendëskryeministra, ministra, ambasadorë, presidentë kompanish ndërkombëtare, profesorë, gazetare etj.  Gjithashtu, ai i shprehu Kryeministrit Berisha urimet e tij në lidhje me suksesin e ekonomisë shqiptare dhe të modelit të zhvillimit të shëndetshëm me rritje, edhe në këtë periudhe krize mbarë botërore.

Gjatë bisedës, zoti Lellouche theksoi interesin dhe planin francez për projekte në fushën e energjisë hidro dhe të erës, në fushën e transportit rrugor e hekurudhor, në fushën e turizmit dhe këmbimeve tregtare.

Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Lellouche për pritjen e ngrohtë të qeverisë franceze, që iu dha nga të gjithë përfaqësuesit e saj, si Kryeministri Fillon,  ministri i Industrisë,  Energjisë dhe Ekonomise Dixhitale z. Eric Besson, e cila ishte ministria organizatore e Seminarit.

Më tej, shefi i qeverisë shqiptare i prezantoi zotit Lellouche mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në sektorët me interes për qeverinë dhe biznesin francez, si dhe shprehu atij mirënjohjen për përzgjedhjen e Shqipërisë si ekonomi me zhvillim të shpejtë e rritje ekonomike në kohë krize, duke i dhënë mundësinë të ndante mendime e eksperienca me kolege politikanë, me përfaqësues të botes së biznesit, akademisë, diplomacisë e gazetarisë.

Kryeministri Berisha e ftoi zotin Lellouche për vizitë pune në Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit dhe u pranua prej tij.