Lajme Shqip Saturday, 07 January 2012 12:00

Tiranë – Çmimet e konsumit në muajin dhjetor shënuan një rritje prej 1 %, krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor i IÇK-së në muajin dhjetor (dhjetor-2011/dhjetor-2010) është 1.7 %.

Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i grupit “ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një rritje prej 2.3 %. Brenda këtij grupi rritja me e madhe prej 14.6 % vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”.

Çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushtrimeve ku mund të veçojmë rritje në nëngrupin “fruta” me 2.3 %, “qumësht djathë e veze” 1.3 %, “peshk 1 % etj.

Indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.5 % , rritje kjo që ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të pijeve alkoolike me 1.2 %. Indeksi i grupit “veshje dhe këpucë” ka shënuar një rritje prej 0.1 %.

Indeksi i grupit “argëtim dhe kulturë” ka shënuar një ulje prej 0.2 %, ku mund të veçojmë uljen e çmimeve të pajisjeve audio vizive me 1.4 %. Gjatë muajit dhjetor çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.1 % dhe çmimi i benzinës një rritje prej 0.3 %.

Por INSTAT sqaron se në muajin dhjetor të vitit 2010 rritja mujore e çmimeve ishte 2.2 %, pra rreth 1.2 % më e lartë se në vitin 2011. Në dhjetor të vitit 2010 çmimi i zarzavateve shënoi një rritje prej 27 %, pra rreth dy herë më i lartë se rritja e çmimeve në muajin dhjetor të këtij vit. Po kështu edhe çmimet e frutave u rritën 3.8 %, gjithashtu afërsisht 2 herë më shumë se rritja e çmimeve në muajin dhjetor të vitit 2011.

Ndërsa në grupet e tjera të shpenzimeve ndryshimi mujor i çmimeve në muajin dhjetor të këtij viti është pak a shumë në të njëjtin nivel me një vit më parë. ‘Prandaj përveç ecurisë mujore që kanë pasur çmimet e këtyre dy nëngrupe (zarzavate përfshirë patatet” dhe “fruta”) gjatë vitit 2010 edhe tendenca e ndryshimit në muajit dhjetor të këtij viti (dy herë më e vogël) kanë sjellë uljen e ndryshimit vjetor të çmimeve të konsumit në vitin 2011’, theksojnë burimet zyrtare të INSTAT-it.