Lajme Shqip Saturday, 07 January 2012 08:48

Shkodër – I paralajmëruar që në fundin e vitit të kaluar, aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në pikën turistike të Shkodrës është konkretizuar sot, kur fadromat e Inspektoratit Ndërtimor pranë Bashkisë shemben tetë objekte, mes të cilave, shtëpi banimi dhe lokale, një dhe dykatëshe. Ndërhyrja e sotme, e cila i përket edhe fazës së parë të aksionit, është bërë në qendër të Shirokës, aty ku rreth 20 vite më parë ka qenë edhe sheshi kryesor i plazhit, por më pas ndërtimet e shumta pa leje e dëmtuan atë duke e nxjerrë krejtësisht jashtë përdorimit.

Sipas drejtoreshës së urbanistikës pranë bashkisë së Shkodrës, Aida Shllaku, prishjet e ndërtimeve pa leje i paraprijnë një projekti shumë ambicioz, i cili ka të bëjë me ndërhyrjen jo vetëm në hapësirën e qendrës së Shirokës, por në tërë territorin e bregut të liqenit të Shkodrës, për ta shndërruar atë në një mjedis çlodhës për komunitetin e Shkodrës, si dhe të turistëve të shumtë, vendas dhe të huaj, që e frekuentojnë atë.

Në një prononcim drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit pranë Bashkisë Shkodër, Arben Kallaçi, bën të ditur, se aksioni në fjalë do të vijojë edhe në faza të tjera për prishjen edhe të ndërtimeve të tjera pa leje, në dy lagjet turistike, Shirokë dhe Zogaj, numri i të cilave është 25.