Tiranë-Ndërsa konsumi bie, investimet e bizneseve rriten. Tingëllon paradoksale, por ky përfundim rezulton nga të dhënat e pjesshme të dosponueshme në ekonominë shqiptare për vitin 2011.
Sipas Institutit të Statistikave, treguesi kryesor i konsumit të brendshëm, Indeksi i Shitjeve në Tregtinë me Pakicë për tremujorin e dytë të këtij viti rezultoi në rënie me 12 pikë përqindjeje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.
Për të dytin tremujor radhazi shitjet me pakicë në ekonominë shqiptare rezultojnë në rënie me bazë vjetore, çka mbështet konkluzionet e Bankës Qendrore për dobësim të kërkesës së brendshme në ekonomi.
Por ndërkohë që konsumatorët blejnë më pak mallra dhe shërbime, rezulton që biznesi ka rritur investimet.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, deri në fund të muajit Nëntor, kredia e re e marrë nga biznesi për investime në makineri dhe në pasuri të paluajtshme ishte 66.4 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Krahasimi i dy treguesve të mësipërm tregon se megjithë rënien e konsumit, biznesi ka investuar më shumë në kapacitete të reja prodhuese.
Kjo mund të shpjegohet me optimizmin e biznesit, pavarësisht dobësimit të kërkesës gjatë vitit 2011. Argument që mund ta shpjegojë pjesërisht këtë kontradiktë është mbështetja te kërkesa e jashtme, që mund të ketë qënë një nxitje për bizneset eksportuese.
Një tjetër shpjegim mund të jetë prirja e bizneseve shqiptare për të përmirësuar teknologjinë e prodhimit, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë. Sidoqoftë, rritja e investimeve gjatë vitit 2011 mund të jetë një sinjal pozitiv, në një tablo ekonomike në përkeqësim për Shqipërinë, ashtu si edhe për gjithë Europën. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 January 2012 09:30