Tiranë- Kryeministri Sali Berisha ndoqi sot paradite panelin me temë ” Modele të Reja Rritjeje”, që u mbajt në kuadër të Seminarit “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Novacion”, i cili po zhvillohet në Paris nën kujdesin e qeverisë franceze. 
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në fjalën e mbajtur në sesionin e zhvilluar paraditen e sotme kryeministri Berisha u ndal te dixhitalizimi i procedurave dhe shërbimeve, si mënyrë eficente për të luftuar korrupsionin.
“Në vitin 2005, Shqipëria kishte indeksin e penetrimit të internetit mes më të ultëve në botë, 4,8%. Unë hodha gjatë mandatit të parë idenë, e internetit në çdo shkollë, siç e ka bërë Kosta Rika dhe me të ardhur në pushtet, nisa zbatimin e kësaj ideje. Ndërsa, në vitin 2009, Shqipëria u bë vendi i parë me thirrje ofertash në masën 100% elektronike”, tha Berisha,
Duke e konsideruar korrupsionin si fenomenin bazë të të gjitha të këqijave në një vend të lirë, Berisha tha se “lufta ndaj tij në mënyrë të përhershme është kushti kryesor për konsolidimin e të drejtave të njeriut, sepse nuk ka asnjë faktor tjetër që i prek të drejtat e njeriut në një shoqëri të lirë, përveçse korrupsionit”.
Lufta ndaj korrupsionit, sipas Berishës, është gjithashtu luftë ndaj varfërisë, si dhe një impuls për të përshpejtuar dhe përmirësuar klimën e biznesit, çka është thelbësore për një vend.
“Në sektorin publik vendosja e transparencës duhet kryer në çdo hap përmes procedurave dixhitale, që përbëjnë ndoshta një nga mjetet me efikase kundër korrupsionit”, tha Berisha.
Friday, 06 January 2012 18:08