Lajme Shqip Friday, 06 January 2012 15:10

Tiranë – Orkestra Simfonike e RTSH-së do të nisë javën që vjen stinën e re koncertore, ku pritet të interpretojnë artistë të njohur nga vendi dhe bota.

Sezoni artistik përfshin 17 koncerte, nga të cilat i pari do të shfaqet në 13 janar, me të ftuar dirigjentin italian Vito Klemente. Ky koncert do të jetë i ndërtuar me vepra të repertorit të huaj. Ndërsa në 27 janar do të zhvillohet koncerti i radhës që do të ngjisë në skenë dirigjentin grek Panajotis Vlakos, e ku do të interpretohen vepra të kompozitorëve të huaj.

Një koncert tjetër do të jetë në datën 10 shkurt me të ftuar solisten Blerta Zhegu dhe pianistin Zamir Kako, nën dirigjimin e Oleg Arapit. Po në shkurt, një tjetër dirigjent do të vijë në Shqipëri, Ermir Krantja, i cili do të dirigjojë një koncert me vepra të huaja.

Koncerti i muajit mars do të dirigjohet nga Desar Sulejmani, ndërsa i ftuar do të jetë violonçelisti Adrian Paço. Ndërsa në muajin prill do të zhvillohet koncerti me muzikë të Shastakovic, nën dirigjimin e italianit Etore Papadia si dhe koncerti me artistë japonezë.

Muzika shqiptare nuk do të lihet jashtë këtij sezoni artistik. Orkestra e RTSH-së, në koncertin e muajit maj, do të interpetojë pjesë nga Vaso Tole, nën dirigjimin e Eno Koços.

Koncertet e fundit do të jenë në muajin qershor, ndër të cilët janë parashikuar një koncert me solistë shqiptarë që do të interpretojnë repertor të huaj, një koncert i dirigjuar nga vietnamezi Le Fi Fi, një koncert me pjesë të huaja nga Rrahmaninov etj. Koncerti i fundit i stinës artistike janar-qershor i RTSH-së do të jetë në datën 29 qershor.