Nëse për asgjë tjetër, Shqipëria mbetet vendi më i lashtë për mjekësinë. Një studim i dy ekipeve të njërit prej Universiteteve më të njohura në botë, “Michigan State University”, ka publikuar sot një libër për antropologjinë psikologjike në të cilën është edhe një studim që për shkencëtarët ka qenë befasues.
Sëmundja e cila me mijëra vjet po merr miliona jetë, ajo e brucelozës, sipas këtij studimi daton në Butrintin tonë mesjetar. Sipas këtij studimi, i cili më 4 janar 2012 ka marrë edhe çertifikimin zyrtar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, skeleti i cili është marrë nga një varrezë mesjetare në Shqipëri, ka rezultuar me sëmundjen e bruçelozës. Shkencëtarët kanë konfirmuar nëpërmjet këtij studimi se sëmundja e cila ende sot është e përhapur në gjithë botën, e ka pasur prejardhjen pikërisht nga mesjeta dhe se të prekurit apo endemia e parë kanë qenë në Shqipëri.
Edhe pse në Shtetet e Bashkuara kjo sëmundje nuk është aq e përhapur, në territoret mesdhetare kjo sëmundje ende merr me mijëra jetë. Todd Fenton, kryesues i grupit të shkencëtarëve antropolog, ka thënë se testimi i avancuar i ADN-së ka bërë që të gjendet lashtësia e kësaj sëmundje.
Në këtë studim, Butrinti përshkruhet si një koloni e madhe romake, e cila me shekuj ka shërbyer si bazë e Perandorisë Bizantine, derisa qyteti ishte braktisur në mesjetë si pasojë e përmbytjeve. Pikërisht në këtë kohë, ata që kishin mbijetuar kishin marrë më së pari këtë lloj sëmundje. Shkencëtari, Fenton ka thënë se “janë marrë edhe me dhjetëra mostra skeletore të tjera në vende të ndryshme porse më e lashta ka dalë në Shqipëri”.
“Ka qenë diçka e mrekullueshme që të gjejmë prejardhjen më të lashtë të kësaj sëmundje,” ka thënë Fenton. Dy skeletet e marra në Shqipëri, kanë qenë të dy adoleshentëve meshkuj që kanë jetuar në shekullin 13 pas Krishtit.
“Mbi të gjitha, jemi të sigurt se kjo sëmundje ka qenë që në mesjetë dhe tani për tani vendi nga ku ka rrënjët kjo sëmundje është Butrinti,” thuhet në studimin e publikuar të enjten në mesditë.
Bruceloza, e quajtur gjithashtu ethja valëzore, apo ethja e Maltës në njerëzit, është një sëmundje me ngjitshmëri të lartë përhapur nga kontakti me kafshët e infektuara, ngrënia e mishit të papjekur, djathit të pa pasterizuar apo pirja e qumështit të infektuar. Në njerëz, bruçeloza mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me gripin, djersitje, dhimbje koke, dhimbje të shpinës dhe dobësi fizike. Mund të ndodhin infeksione të ashpra të sistemit qendror nervor dhe zemrës.
Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Ndalimin e Sëmundjeve në SHBA, norma e vdekshmërisë është më pak se 2% dhe zakonisht shoqërohet me endokarditis.
Friday, 06 January 2012 09:45 
