Lajme Shqip Thursday, 05 January 2012 19:35

Kakavijë- Mbi 6000 emigrantë shqiptarë kanë udhëtuar sot drejt Greqisë nëpërmjet vendkalimit kufitar të Kakavijës, rreth 25 km larg Gjirokastrës.

Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në qarkun e Gjirokastrës, pohuan për ATSH-në se “gjatë 15 orëve orëve të fundit kanë dalë nga territori shqiptar 6000 emigrantë, 3400 automjete si dhe 65 autobuzë”.

Policia tha se në të njëjtët periudhë kohore kanë hyrë 2500 emigrantë, si dhe 1300 automjete.

“Aktualisht në vendkalimin kufitar të Kakavijes funksionojnë me kohë të plotë 8 sportele, 5 në dalje dhe 3 në hyrje, ndërsa pala greke punon me 5 sportele, 3 në hyrje dhe 2 në dalje”, specifikoi policia kufitare.

 Në kufirin Shqipëri-Greqi, në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës, funksionojnë me kohë të plotë dy pika vendkalime kufitare, ajo e Kakavijës, që ndodhet rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të jugut dhe “Tre Urat”, që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit.

Ndërsa pika kufitare e Sopikut, që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët. (LajmeShqip.com)