Lajme Shqip Thursday, 05 January 2012 18:27

Prishtinë-Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë më nënshkrimin e memorandumeve ndërmjet ministrive të caktuara, siç ka ndodhur deri tani.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se qeveria e Kosovës është një dhe do të funksionojë si e tillë. Ai tha se edhe memorandumi i shumëpërfolur ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe ministrisë së brendshme nuk ka pasur pëlqimin e kryeministrit Thaci.

Memorandumi i nënshkruar me 23 dhjetor të vitit të kaluar mes ministrisë së FSK-së dhe ministrisë së Punëve të Brendshme nuk e ka pasur pëlqimin e kryeministrit dhe ai do të rishqyrtohet në bazë të ligjeve në fuqi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se të gjithë ministrat do të marrin letër që nga sot të mos nënshkruajnë memorandume njëra me tjetrën, duke thënë se Kosova ka vetëm një qeveri.

“E para kjo moda e memorandumeve duhet të përfundojë, ne jemi një qeveri dhe s’ka nevojë një ministri me tjetrën, kompentencat i parashikon kushtetuta dhe ligjet. E dyta do ta shikojmë bazën ligjore cdo gje që është kundërligjore do të anulohet dhe e treta që nga sot të gjithë ministrat do të marrin një letër që nga sot nuk do të mund të nënshkruajnë asnjë memorandum pa pëlqimin e kryeministrit”-deklaroi Kuçi.

Ai theksoi se çështja e momorandumeve parashikohet në strategjinë nacionale për siguri dhe me ligjet, duke tërhequr vërjetjen për më shumë kudjes nga të gjithë ministrat.

Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Informim të FSK-së Ibrahim Shala, tha se memorandumi i nënshkruar në mes të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme ka për qëllim t’i ofrojë mbështetje ministrisë së brendshme duke përfshirë edhe Policinë e Kosovës dhe Agjencinë për menaxhimin e emergjencave në operacione emergjente sic janë fatkeqësitë natyrore. (Lajmeshqip.com)