Lajme Shqip Thursday, 05 January 2012 14:50

Prishtinë- Më së largu deri në mars të këtij viti pakica malazeze dhe ajo kroate që jeton në Kosovë pritet të njihen zyrtarisht si komunitet i Republikës së Kosovës.

Për t’ua ofruar këtë të drejtë këtyre dy komuniteteve, tashmë janë pajtuar prijësit më të lartë të shtetit të cilët, sipas Ramush Tahirit, këshilltar i presidentes kosovare Atifete Jahjaga, vetëm se do t’ua rikthejnë të drejtat këtyre dy komuniteteve, të cilat ishin përjashtuar nga Korniza Kushtetuese në kohën e administratës së UNMIK-ut.

“Kemi zhvilluar biseda me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe me zëvendëskryeministrin Kuçi që komuniteti malazez dhe ai kroat të jenë kategori kushtetuese, sepse është një e drejtë e cila ka ekzistuar dhe që në mënyrë jo të rregullt është hequr nga Korniza Kushtetuese që e ka bërë UNMIK-u. Dhe duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira fqinjësore që i kemi me Malin e Zi dhe me Kroacinë, nuk duhet të jetë pengesë mosnjohja e këtyre komuniteteve, sepse ajo do t’i rëndonte marrëdhëniet tona”, ka deklaruar Tahiri.