Lajme Shqip Thursday, 05 January 2012 14:29

Tiranë- “Partia Demokratike do të ketë kandidatin e saj në zgjedhjet për President”, tha sot, deputeti i PD-së, Edi Paloka, i cili duke u ndalur te emrat konkretë që janë përfolur në media për këtë post shtoi se, “Fatos Nano mund të jetë njëri ndër kandidatët, por që duhet të vijë si propozim nga Partia Socialiste”.

Në një prononcim për mediat, Paloka tha se, zgjedhja e Presidentit do të bëhet në respekt të Kushtetutës së miratuar nga të dyja palët me konsensus dhe që parashikon që kandidati për President kalon me shumicë të thjesht votash.

“Fatos Nano mund të jetë kandidat, pasi është ish- kryetar i PS-së dhe është kjo forcë politike që ka të drejtën e saj ta propozojë ose jo, por është absurde që ta propozojë PD. Ndërsa, Bamir Topi e ka tërhequr vetë kandidaturën e tij, jo vetëm me deklaratën që bëri se nuk do të jetë kandidat, por me të gjithë qëndrimet që ka mbajtur”, tha Paloka.

I pyetur mbi domosdoshmërinë ose jo për ndryshime në kabinetin qeveritar, Paloka tha se, ato janë atribut i Kryeministrit. “Parimisht për mua duhet të ndryshohen jo vetëm emrat por edhe strukturat e qeverisë, sepse ndryshojnë situatat, objektivat dhe është normale që të ndryshojë dhe kabineti qeveritar”, tha ai.

Duke u ndalur te objektivat kryesore të maxhorancës për vitin 2012, Paloka tha se, marrja e statusit të vendit kandidat është objektivi kryesor. “Synimi i Edi Ramës ishte shmangia e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë duke bojkotuar parlamentin dhe duke bërë një opozitë agresive. Pasi arriti qëllimin e tij politik, humbjen e statusit, Rama hyri në parlament”, tha Paloka, ndërsa shtoi se nëse Edi Rama do të ketë vullnetin të vazhdojë bashkëpunimin me maxhorancën, Shqipëria do të marrë këtë vit statusin e vendit kandidat.

Meqënëse 2012 është një vit jubilar për vendin, Paloka tha se maxhoranca do të të përpiqet që shqiptarët ta ndiejnë realisht se i përkasin një kombi dhe shteti tashmë 100 vjeçar dhe të konsoliduar.

Gjithashtu sipas tij, 2012 është viti para zgjedhjeve të përgjithshme, ndaj PD duhet të ndezë motorrët për tu pregatitur për zgjedhjet e ardhshme.