Lajme Shqip Thursday, 05 January 2012 13:30

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e parë të qeverisë në këtë vit tha se, “për Kosovën, 2012-a do jetë vit i sukseseve historike”.

“Do të kemi përgjegjësi shtesë në këtë vit, besoj se do të jetë edhe një vit i sukseseve historike për Kosovën, pas vitit 2008”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ai siguroi edhe për realizimin e plotë të planit vjetor të punës së qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2012, të miratuar në mbledhjen e sotme.

Zv/kryeministri Hajredin Kuçi, pas mbledhjes së qeverisë, gjatë një interviste të dhënë lidhur me sukseset historike të paralajmëruara në vitin e katër-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, tha se, “do jetë viti më sfidues në kuptimin pozitiv”.

“Vërtetë, do jetë viti më sfidues në kuptimin më pozitiv që prej pavarësisë së vendit, është viti kur ne do ta kemi pavarësinë e plotë dhe në këtë drejtim do të punojmë”, theksoi ai.

“Gjatë këtij viti do të punojmë me intensitet të plotë që të përfundojë misioni i ICO-së dhe është viti që do të punojmë me intensitet të plotë që misioni i EULEX-it të reduktohet dukshëm, duke shkuar me përshkallshmëri në përfundimin e mandatit të tij. Pra, më një fjalë, viti kur do ta kemi pavarësinë e plotë pa një mbikëqyrje ndërkombëtare, jo në kuptimin e izolimit ndërkombëtar”, u shpreh zv/kryeministri Kuçi.