“Zvonko Veselinoviç dhe vëllai i tij me ndihmën e shërbimit të fshehtë serb të sigurimit, e kishin shndërruar veriun e Kosovës në strehë të sigurt për shumë kriminelë nga rajoni,” shkruan revista serbe Novi Magazin, të cilën e transmeton “Koha Ditore”.
Arrestimi i tij ka tronditur sistemin kriminal të ngritur prej tij në veri të Kosovës dhe se Veselinoviç viteve të kaluara, falë lidhjeve të tij të forta politike dhe atyre me policinë e fshehtë serbe, kishte arritur të ndërtonte perandorinë e krimit të tij përmes kontrabandës me naftë, tregtisë me drogë dhe aktiviteteve të tjera kriminale. Veselinoviç kishte arritur që veriun ta shndërronte në strehë të sigurt për vëllazërinë kriminale të rajonit dhe aty dyshohet se fshihen edhe shumë kriminelë që kërkohen nga disa shtete evropiane dhe për të cilët ekziston fletë arresti ndërkombëtar.
Duke zbardhur detajet e arrestimit të vëllezërve Veselinoviç, revista Novi Magazin shkruan se arrestimi i tij ishte pasojë e ndjekjes intensive gjashtë mujore. Ata ka dashur t’i arrestonte edhe KFOR-i, por ka hequr dorë për shkak të vlerësimeve se arrestimi mund të ishte me rrezik. Në ditën kur vëllezërit Veselinoviç janë arrestuar, ishin të ftuar nga një partner afarist i tyre në Kopaonik.
Thursday, 05 January 2012 11:50