Tropojë – Grupi hetimor i komisariatit të policisë së rrethit të Tropojës ka zbardhur një ngjarje të ndodhur një muaj më parë në lagjen “Dardania” të qytetit të Bajram Currit, kur sipas denoncimit të kryer nga djali 16 vjeçar i shtëpisë, është kryer vjedhja dhe plagosja e tij nga dy persona të paidentifikuar.
Zëdhënësja e drejtorisë së policisë së qarkut të Kukësit, Suada Sulaj, bëri të ditur se, “dje ndaj 16 vjeçarit ka nisur çështja penale për kallëzim të rremë për vjedhjen e banesës së tij dhe plagosjen nga dy persona të paidentifikuar”.
Ka qenë vetë 16 vjeçari XH.Gj. i cili së fundmi ka deklaruar se gjithë ngjarjen e mësipërme e ka inskenuar vetë nga frika e prindërve të tij, pasi u kishte vjedhur 110 paund, 5000 lekë e duke vetplagosur vetën për ta bërë ngjarjen sa më të besueshme.
Ngjarja e rrallë ka ndodhur më 5 dhjetor, kur 16 vjeçari ka bërë denoncimin se në banesën e shtetasit Gëzim Gjocaj kishin hyrë dy persona të paidentifikuar dhe në tentativë për të marrë një shumë lekësh, janë përplasur me djalin e shtëpisë duke e plagosur me mjete prerëse. Ndërkohë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezultoi se, në një dollap në një nga mjediset e shtëpisë kishin qenë 220 paund dhe 20.000 lekë. Nga “grabitësit” është arritur të merren 110 paund dhe 5.000 lekë, ndërsa pjesa tjetër është lënë sipër rrobave. Për këtë ngjarje ishin shoqëruar në mjediset e komisariatit edhe 10 persona, ndërsa më pas ka rezultuar se e gjithë ngjarja ishte e inskenuar nga vetë djali 16 vjeçar i shtëpisë.
Thursday, 05 January 2012 09:45