Tiranë – Kryeministri Sali Berisha theksoi sot, gjatë mbledhjes së qeverisë, se të ardhurat tatimore dhe doganore më 31 dhjetor të viti 2011 ishin 295 miliardë lekë ose 400 milionë dollarë më tepër se në vitin 2009, që, sipas tij, janë saktësisht sa vlera e rrugës Tiranë-Elbasan.
“Nëse i referohemi vitit 2004 të ardhurat tatimore dhe doganore ishin 97 miliardë lekë”, tha Berisha, duke shtuar se “performanca e ekonomisë shqiptare në vitin 2011 ishte e tillë që realizoi të ardhura më shumë se kurrë në historinë e vendit”.
Sipas kryeministrit Berisha, ky është viti që zona e euros është në krizë, çka tregon se kërkohet vendosmëri shumë e madhe për të zgjeruar çdo ditë e më shumë frymëmarrjen dhe lirinë ekonomike të biznesit.
“Kjo tregon se nuk ka altenativë tjetër për të mbajtur rritjen ekonomike, për të vazhduar me ambicjet, programet dhe projektet tona, përveç se performancës ekomnomike”, tha shefi i qeverisë.
Berisha theksoi se “nëse lexoni ligjin e koncesioneve, që duhet të plotësohet me urgjencë me nenet e partneritetit publik-privat, nëse vështrojmë potencialet e mëdha që kemi, ne këtë vit mund të tejkalojmë, pavarësisht nga kriza në rajon, objektivat tonë ambicioze”.
“Le të dërgojmë ne mesazhe në të katër anët se në këtë vend investohet, se ky është një vend ideal për investitorët dhe investimet e huaja”, tha Berisha, duke shtuar se “bëmë disa hapa shumë të rëndësishme, shpallëm amnistinë, faljen. Natyrisht nuk pati rikthimin e kapitalit që mund të rikthehej, por për ne rëndësi ka se fituan qytetarët më shumë se të gjithë të tjerët”.
Sipas Kryeministrit, “deri tani 15 mijë familje kanë rivlerësuar pronat e tyre. 15 mijë familje bëjnë tani transaksione me pronat e tyre, duke paguar 1 %. Pra u ndërtua një frymëmarrje në tregun e pasurive të paluajtëshme, sepse ishte një pengesë e madhe pagesa që duhej bërë. Prandaj kjo u shty deri në datën 31 mars”.
Sipas Kryeministrit, pavarësisht se u ranë borive se kanë rënë të ardhurat, “doganat shqiptare e kanë mbyllur me 101 %, tatimet kanë lënë më pak se 2-3 %. Eksportet e dhjetorit janë rekord 170 milionë dollarë. Ky është modeli që funksionon, por ky model mund të funksionojë më mirë, në çdo qelizë të tij, me angazhimin tonë të plotë”.
“Ky është viti i Shqipërisë dixhitale. Të gjitha projektet dixhitale kanë përparësi absolute. Këtij vendi s’mund t’i bëhet shërbim më i madh sesa në 100 vjetorin e tij ta bëjmë dixhital krejtësisht”, tha Berisha.
Viti ka një apel të madh për ne, vijoi Berisha, “që të jetë viti i sukseseve më të mëdha, i arritjeve më të mëdha, që të dëshmojmë se jemi në një vit jubilar, se jemi mirënjohës ndaj të gjithë atyrë që u flijuan, që Shqipëria sot të jetë e lirë dhe e Pavarur 100 vjeçare”.
Berisha bëri të ditur në këtë mbledhje se “në treguesin absolut më themelor, atë të banesave, Shqipëria lë sot mbrapa 4-5 vende të zhvilluara, anëtare të OECD dhe BE-së” dhe kërkoi që kjo garë në të gjitha fushat të vazhdojë të ecë përpara me shpejtësinë më të madhe.
Wednesday, 04 January 2012 15:45