Lajme Shqip Wednesday, 04 January 2012 15:00

Prishtinë – Bisedimet teknike Kosovë-Serbi, në Bruksel, pritet të vazhdojnë këtë janar, pas tetë raundeve të zhvilluara gjatë vitit 2011, duke filluar nga 8 marsi.

Vazhdimin e bisedimeve, ndërkohë që pritet caktimi i datës, e kanë paralajmëruar udhëheqësit e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, në deklarata për media, sipas të cilave, në raundin e nëntë do të diskutohen çështjet që tashmë janë në axhendë; bashkëpunimi rajonal, energjia dhe telekomunikacioni.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e fundvitit të qeverisë, deklaroi se “ne do të vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm në angazhimet edhe të vitit 2012, që çështjet që janë të diskutueshme në kuptimin teknik, me lehtësimin dhe prezencën e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, të punojmë me përgjegjësitë më të larta që t’i kemi zgjidhjet e pranueshme teknike, jashtë ndikimeve politike, por të modelit evropian”.

Pas raundit të tetë, në komunikatën e qeverisë kosovare, më 3 dhjetor, theksohej se “për marrëveshjet e bashkëpunimit rajonal, energjisë dhe telekomunikacionit, si dhe në përcjellje të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik, konsultimet e delegacionit të Kosovës me ndërmjetësit e BE-se do të vazhdojnë në ditët në vijim”.

Gjatë vitit të kaluar dialogu teknik Kosovë-Serbi ka pasur dy ndërprerje. Ndërprerja e parë ishte gjatë verës, kur raundi i gjashtë i paraparë të mbahej më 20 dhe 21 korrik u shty për faj të palës serbe, e cila refuzoi njohjen e vulave të Doganave të Kosovës.

Ndërprerja e dytë ndodhi në vjeshtë, pasi takimi i raundit të shtatë të bisedimeve, i paraparë për 27 e 28 shtator, edhe pse të dy delegacionet, i Prishtinës dhe i Beogradit, ishin në Bruksel, ku të ndarë biseduan me ndërmjetësit.