Lajme Shqip Wednesday, 04 January 2012 14:28

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha theksoi sot, gjatë mbledhjes së qeverisë, se zgjedhja e Presidentit të Republikës gjatë këtij viti do të bëhet kryekëput sipas Kushtetutës.

“Ky është viti i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Garantoj se do të zgjidhet kryekëput dhe tërësisht në përputhje me Kushtetutën e vendit”, tha Berisha, duke shtuar se “çdo përpjekje për t’i imponuar Shqipërisë, për t’i kushtëzuar Shqipërisë dëshira suplementare, në raport me Kushtetutën, do të pësojnë dështimet që kanë pësuar të tjerat”.

“Uroj që të bëhen përpjekje të mëdha për t’i dhënë vendit një president në lartësinë e detyrave, në lartësinë e Kushtetuës dhe ligjeve të vendit, me integritet të plotë”, u shpreh Kryeministri. 

Berisha gjithashtu garantoi vazhdimin e bashkëpunimit me opozitën për reformën zgjedhore dhe votimin e ligjeve me 3/5-tat, ashtu siç është rënë dakord.

“Dua të garantoj opzitën se ne jemi të vendosur t’i qëndrojmë marrëveshjes që arritëm pikë për pikë, sikundër theksoj se askush dhe për asgjë, s’do të marrë peng ecurinë e këtij vendi”, tha Berisha.    

“Politika e pengut, zgjati sa zgjati, por dështoi”, u shpreh Kryeministri, duke theksuar se “një vend i lirë, me besim tek ligji dhe kushtetuta e tij demokratike, s’mund të merret peng nga askush”.

Ndaj, vijoi Berisha, “qëndrojmë të vendosur dhe të hapur për një bashkëpunim të sinqertë, për një bashkëpunim në interesin më të mirë të vendit. Sikundër qëndrojmë të vendosur në zbatimin me rigorozitet të ligjeve dhe kushtetutës së këtij vendi”.

“Uroj dhe dëshiroj që ato ligje që presin me 3/5-tat të votohen, siç është marrëveshja. Uroj dhe dëshiroj dhe jam i vendosur të bëj çdo gjë për reformën elektorale të sukseshme”, tha Kryeministri Berisha.