Tropojë – Nën bardhësinë e dëborës, ndërrimin e viteve në Valbonën turistike e kanë pritur me fishekzjarrë e brohoritje gëzimi dhe urime mjaft turistë të huaj.
“Ndërrimin e viteve e kanë pritur në Valbonë krahas banorëve vendas dhe mjaft të ftuar nga qyteti i Bajram Currit, si dhe 40 turistë të huaj”, thotë kryetari i komunës së Margegajt, Rexh Biberaj. Sipas tij, turistët e huaj kanë kaluar natën e vitit të ri bashkë me të rinjtë e fshatit e banorë të tjerë duke festuar deri në orët e para të mëngjesit.
Prej tre vjetësh është bërë e zakonshme që turistë të huaj të jenë të pranishëm për festat e fundvitit në pikën turistike të Valbonës. Kjo ka bere qe te rritet vit pas viti numri i turistëve të huaj që vizitojnë këtë pikë të njohur turistike.
Gjatë vitit të kaluar numri i vizitorëve të huaj që kanë qëndruar disa ditë në këtë pikë turistike arriti në mbi 25 mijë, nga rreth 15 mijë vizitorë që ishin në vitin 2010. “Këtë vit parashikohet që numri i vizitorëve të huaj të arrijë në mbi 30 mijë, gjë që e vlerësojmë kryesisht nga marrëdhëniet që kemi krijuar me kompanitë turistike”, thotë Biberaj.
Tuesday, 03 January 2012 20:00