Lajme Shqip Tuesday, 03 January 2012 14:00

Budapest – Disa dhjetëra mijë njerëz protestuan mbrëmë në Budapest kundër hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re në Hungari, të cilën opozita dhe shumica e organizatave joqeveritare e konsiderojnë për jodemokratike.

Sipas organizatorëve të protestave, të mbajtura nën moton “Sërish do të jemi republikë”, në tubim morën pjesë rreth 100.000 njerëz.

Në tubim janë theksuar banderola me mbishkrim “Mjaft ishte”, “Diktatura e Orbanit” dhe “ky është Orbanistani”, me aluzion të mënyrës së qeverisjes së kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Së bashku me protestën, autoritete organizuan solemnitet me rastin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, me të cilën emri kushtetues i shtetit nga “Republika e Hungarisë ndërrohet në vetëm “Hungaria”.

Në Kushtetutë përmendet edhe Perëndia, martesa definohet si bashkësi midis burrit dhe gruas, ndërsa përcaktohet edhe se jeta fillon jo me lindjen, por me ngjizjen.

Sipas kundërshtarëve të Kushtetutës së re, me të kufizohet pavarësia e gjyqësisë, rrezikohet pluralizmi medial dhe përforcohet kontrolli qeveritar ndaj bankës qendrore.