Tiranë – “Ndarja nga jeta e ish Presidentit të Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorov, është një humbje e madhe për Maqedoninë dhe miqtë e saj në rajon dhe në botë”, tha Kryeministri Sali Berisha në mesazhin e ngushëllimit dërguar kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, për ndarjen nga jeta të ish Presidentit Gligorov.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në mesazhin e tij, Berisha vlerëson se, “si themelues i shtetit të pavarur të Maqedonisë dhe presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i saj, Kiro Gligorov dha një kontribut të çmuar në paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë dhe të rajonit të jugut të Ballkanit si dhe në bashkëpunimin rajonal”.
“Me urtësi dhe vendosmëri Gligorov përballoi përpjekjet për përfshirjen e Republikës së Maqedonisë, nën ombrellën e Serbisë, si dhe përpjekje të tjera që synonin skenarë të tjerë për këtë vend mik”, përfundon mesazhi i Kryeministrit Berisha.
Tuesday, 03 January 2012 08:37