Lajme Shqip Friday, 30 December 2011 17:10

PRISHTINE – Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, ka thënë se ka ardhur koha për të përfunduar pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës dhe se Kosova është e gatshmr të qëndrojë në këmbët e veta.

“Kohët e fundit e kam takuar Presidentin Ahtisaari në Finlandë, ku kemi diskutuar rezultatet e arritura gjatë katër viteve të pavarësisë së mbikëqyrur. Ai e ndan pikëpamjen time që në kushte të caktuara, pjesa më e madhe e punës sonë ka përfunduar”, – thekson Feith në një shkrim autorial për gazetën Danas.

”Megjithatë, para se ta publikoj lajmin se ka ardhur koha për t’i dhënë fund pavarësisë së mbikëqyrur, duhet të përfundohen disa detyra të rëndësishme”.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës aktualisht është në procesin e marrjes së vendimeve të rëndësishme për “mbrojtjen e veçantë të trashëgimisë së ndryshme të Kosovës, me ligjin për Hoçën e Madhe dhe qendrës historike të Prizrenit”.

Detyra kryesore, sipas tij, është decentralizimi në veri të Kosovës dhe formimi i komunës së re të Mitrovicës së veriut, si simbol i këtij procesi.

“Ekziston nevoja për bashkëpunim më të madh midis veriut dhe jugut”, thotë Feith, për të cilin bllokimi i rrugëve dhe pengimi i lëvizjes së lirë janë hapa prapa, të padenja për rajonin që synon anëtarësimin e plotë në familjen evropiane.